Partia e Fortë

Posted on: October 5, 2013 - In:

Partia e Fortë inkurajon të gjitha partitë që kanë privilegjin të jenë të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës që të votojnë pa hezitim Ligjin për Amnistinë. Si një parti e bashkimit, që në veçanti mbështetë fuqishëm bashkimin familjar, inkurajimi për votim të këtij ligji është padyshim akt heroik.

Kryesit e akteve të krimit që amnistohen nga ky ligj janë një pjesë e margjinalizuar dhe e izoluar e shoqërisë. Ata duhet të gëzojnë të drejtat e njejta si vëllezërit dhe kolegët e tyre që kanë pozita në Qeverinë e Kosovës. Ky ligj, përveç që mundëson thyerjen e barrierave që e ashtuquajtura “drejtësi” i ka vënë këtij grupi margjinal, ai mundëson edhe rritjen e cilësisë së qeverisjes.

Tash një kohë të gjatë një pjesë e qeveritarëve të Republikës krenare të Kosovës janë paralizuar në veprimet e tyre. Në mungesë të kolegëve që kanë emigruar ose janë burgosur për shkak të veprimtarisë së tyre, kjo pjesë ka mbetur e izoluar që në vetmi të ketë udhëheqjen e shtetit. Si çdo familje tjetër, edhe krimi ka familjen e saj. Dhe ne e dijmë, familja është e shenjtë. Andaj ky ligj, e lejon atë që do të duhej të ndodhte shumë kohë më parë. Bashkimin familjar dhe jo vetëm: Bashkimin Evropian!

Partia e Fortë ka një vërejtje në datën nga e cila vlenë retroaktivisht ligji. Kjo është jo-rastësisht dita kur pikërisht Partia e Fortë u regjistrua në KQZ. Jemi të indinjuar nga mungesa e konsideratës që partitë në pushtet kanë ndaj nesh si subjekt politik duke na privuar nga përfitimet që mund të na vijnë nga aktivitetet politike, gjegjësisht pushteti. Kërkojmë që ky ligj të mos jetë vetëm retroaktiv por edhe proaktiv, ashtu që të interesuarit në kryerjen e veprave penale në të ardhmen të mos jetë të kufizuar.
Kërkojmë edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian por edhe të vendeve tjera të mos e pengojnë këtë ligj. Pasi që përndjekja, gjykimi dhe denimi i kriminelëve është punë që kërkon më shumë përkushtim dhe kohë, është shumë më e lehtë që të gjithë të amnistohen me ligj dhe rrjedhimisht Kosova pastrohet nga kriminelët.

Krimi është veprim. Dhe Kosova i do veprimtarët. Andaj, ftojmë deputetët ta votojnë ligjin (me ndryshimet e kërkuara) dhe të lejojnë edhe kryesit e akteve të krimit që të ecin rrugëve të lirë. Të gjithë për një Kosovë të pastër, të gjithë për një Kosovë pa krim!, thuhet në deklaratën e partisë më të re në Kosovë.

Comments are closed.